LDK refuzoi ta votojë Projektligjin për Specialen, asambleisti i saj në Obiliq jep dorëheqje nga partia

LDK refuzoi ta votojë Projektligjin për Specialen, asambleisti i saj në Obiliq jep dorëheqje nga partia

Asambleisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Labinot Mirena ka dhënë dorëheqje nga të gjitha strukturat e partisë, për shkak të qëndrimit të këtij subjekti politik lidhur me projektligjin për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale.

Mirena tha se do të jetë i pavarur në Kuvendin Komunal të Obiliqit.

“Unë, si asambleist i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, nga sot jap dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe mandatin tim do ta vazhdoj si asambleist i pavarur”, shkroi ai në një postim në Facebook.

Arsyeja e dorëheqjes, siç shpjegoi vetë Mirena, është refuzimi i grupit parlamentar të LDK-së për ta votuar sot në Kuvend projektligjin që parasheh ndryshime në ligjin për Gjykatën Speciale.

“Ky vendim shpreh mospajtimin tim të thellë me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale, mbi të cilat nuk mund të bëj kompromis”, shkroi ai.

Mirena tha se qëndrimi i LDK-së sot bie ndesh me “vlerat dhe bindjet” që përfaqëson ai.

“Qëndrimi i LDK-së për këtë çështje bie ndesh me vlerat dhe bindjet që kam përfaqësuar dhe vazhdoj t’i përfaqësoj. Për këtë arsye, nuk mund të vazhdoj të jem pjesë e një subjekti politik me të cilin, në një çështje kaq të rëndësishme, kam dallime thelbësore”, shkroi ai.

“Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, shtoi Mirena.

https://www.facebook.com/plugins/post.php?href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Flabch3%2Fposts%2Fpfbid0LrvVsrwhetu9oWz18iLxyHKX2Yvd94rRWsv6FCGd25ZppWUkBCs7Nzg8h1KbmHmvl&show_text=true&width=500

Leave a comment