Të nisur nga ruajtja e vlerave historike dhe mbrojtja e trashigimisë kombëtare, si borxh moral dhe kombëtar, morëm iniciativën për të krijuar një nismë shumë fisnike – mbrojtjen e vlerave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe dy ushtrive si motra Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare dhe Ushtrisë për Çlirimin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit.

Duke parë mungesën e kujdesit institucional nga Qeveritë dhe organet e institucionet e tjera shtetërore në Kosovë e Maqedoninë e Veriut për vlerën më të lartë të një kombi – ushtarin e atdheut, krijuam nismën Liria Jeni Ju. Kjo nismë është jopolitike dhe jopartiake, dhe ka vetëm një qëllim – senzibilizimin e qytetarit shqiptar, kudo që është, për kategorinë më të lartë të bashkëkombasve tonë – dëshmorët e kombit, invalidët e luftës, ish-luftëtarët, familjeve të tyre dhe të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në çështjen tonë kombëtare.

Të shqetësuar për pozitën juridike dhe sociale të ish-luftëtarëve të UÇK-së në të gjitha trojet shqiptare, u bëjmë thirrje elitave politike për kujdes të veçant për të gjitha kategoritë e dala nga lufta fisnike dhe e pastër e UÇK-së.

Në këtë kontekst, dëshirojmë t’i shprehim mirënjohjen e thellë nismës së Qeverisë Shqiptare në krye me kryeministrin Edi Rama, për kontributin, angazhimin dhe përkrahjen e duhur në mbrojtje të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe Krerëve të saj.

Nisma jonë ngre zërin fuqishëm kundër ngritjes së akuzave të pabaza të udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi nga ana e Prokurorisë Speciale në Hagë. Akuzat ndaj krerëve të UÇK-së dhe komandantëve Nasim Haradinaj, Hysni Gucati, Salih Mustafës dhe Pjetër Shalës, janë vetëm një tendencë për të fëlliqur luftën më të pastër për çlirim, të bërë ndonjëherë. I bëjmë thirrje faktori politik shqiptar dhe ndërkombëtar se ngritja e akuzave të tilla nuk prek vetëm personalitetet në fjalë, por prek pjesën më të lavdishme të historisë së Kosovës dhe kombit shqiptar.

Liria Jeni Ju gjithmonë do të jetë në mbrojtje të luftëtarëve të lirisë dhe familjeve të tyre.

Liria Jeni Ju ka vetëm një qëllim, të kthej në vend krenarinë e luftëtarëve të lirisë.

Liria nuk erdhi vetëm, lirinë nuk na e sollën të tjerët, lirinë e sollën gjaku i dëshmorëve, lufta e vëllezërve dhe motrave tona, të cilët luftuan nën amblemën e UÇK-së për çlirimin e çdo pëllëmbe toke shqiptare, si dhe sakrifica e pashembullt e gjeneratave të tëra që për dekada të tëra sakrifikuan gjithçka.

Ne do të jemi gjithmonë pranë jush që i dolët zot atdheut, që dhat jetën, që falët pjesë të trupit tuaj, që dhat fëmijët tuaj, për të vetmin qëllim – për liri. Ne do të jemi me ju sepse LIRIA JENI JU!