Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara, në shkurt të vitit 2021 ishte takuar sërish me ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe, në fjalimin e saj, kishte sulmuar fort Kosovën dhe zërat e asaj kohe për ndryshimin e ligjit.
Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë Ligjin për Ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, por ende nuk ka një reagim nga Haga.
PDK-ja, si iniciuese e ligjit, po kërkon që ai të miratohet në lexim të dytë para votimit për president.
Ekaterina Trendafilova, kryetare e Dhomave të Specializuara, në shkurt të vitit 2021 ishte takuar sërish me ambasadorë të vendeve të Bashkimit Evropian dhe, në fjalimin e saj, kishte sulmuar fort Kosovën dhe zërat e asaj kohe për ndryshimin e ligjit.
“Janë bërë thirrje për mbledhjen e nënshkrimeve me qëllim ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Edhe pse një gjë e tillë nuk është ligjërisht e mundur, nëse do të ndiqej nga Qeveria e Kosovës, mund të kishte pasoja shumë problematike. Më konkretisht, mund të bëheshin përpjekje për ndryshimin e Ligjit për të lejuar falje për personat që dënohen nga DhSK-ja, ose për zhvendosjen e selisë së DhSK-së apo të arkivave të saj në Kosovë, ose të të dyjave”, kishte deklaruar asokohe Trendafilova, në fjalimin e së cilës ka siguruar VOX Kosova.

Ajo përpiqej aty që këto përpjekje, të cilat buronin nga pakënaqësia me gjykatën dhe punën e saj, t’i paraqiste si shumë të rrezikshme, në veçanti për dëshmitarët.
“Kjo, pa dyshim, do të vinte në rrezik jetën, mirëqenien dhe sigurinë e personave që kanë bashkëpunuar ose që do të ishin të gatshëm të bashkëpunonin me ne. Ndryshime të tilla, sigurisht, do të kishin një efekt frikësues te dëshmitarët, të cilët mund të mos dëshironin më të paraqiteshin, duke e bërë kështu të pamundur që Prokurori i Specializuar të vazhdonte me çështjet e tij”, theksonte Trendafilova.
Kryetarja, e cila ka pasur shpesh veprime kundër krerëve të UÇK-së, theksonte se nuk duhej të ndryshohej asgjë deri në përfundimin e mandatit të Speciales. Dhe kjo, sipas saj, duhej të bëhej vetëm në konsultim me BE-në.
“Prandaj, duhet theksuar se kuadri mbi të cilin Bashkimi Evropian dhe Kosova ranë dakord përmes Shkëmbimit të Letrave të vitit 2014 duhet të mbetet i pandryshuar deri në përfundimin e mandatit të DhSK-së dhe ZPS-së ose, si alternativë, mund të ndryshohet vetëm përmes një procesi konsultimi me BE-në. Detyrimi për konsultim me BE-në, kur bëhet fjalë për kuadrin e DhSK-së dhe ZPS-së, është konfirmuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e DhSK-së në aktgjykimin e saj të fundit, më 26 nëntor 2020”, deklaronte ajo.

Trendafilova kishte mbajtur takime të rregullta me diplomatë evropianë.
Madje, në dhjetor të vitit 2020, një muaj pas arrestimit të krerëve të UÇK-së, bashkë me kryeprokurorin Jack Smith, kishte folur për akuzat dhe procesin. Aty, Smith deklaronte se krerët e UÇK-së do të dënoheshin me burgim të përjetshëm.
Dhe, sikur të ishte vendosur pikërisht aty, më 16 shtator krerët e UÇK-së u dënuan me 81 vjet burgim në total.
Ndaj këtij aktgjykimi ka shpërthyer një revoltë e madhe në Kosovë.
Mijëra qytetarë në Prishtinë po mblidhen çdo ditë në shesh për të kundërshtuar aktgjykimin.
Protestat janë shtrirë edhe në Evropë e Amerikë.
Edhe në ditën kur është mbledhur Kuvendi, protestuesit po qëndrojnë përpara hyrjeve të institucioneve, duke kërkuar votimin e tij edhe në lexim të dytë.


voxkosova.com