Lidhja Demokratike e Kosovës ka dalë kundër Ligjit për Gjykatën Speciale.
“Për LDK-në rruga e vetme për ta ndryshuar një aktgjykim është rruga gjyqësore përmes Apelit dhe shterimit të mjeteve juridike të parashikuara me ligj. Çdo pretendim për gabime, padrejtësi apo shkelje në proces duhet të argumentohet dhe të shqyrtohet nga instancat kompetente. Institucionet e Kosovës duhet të sigurojnë brenda përgjegjësive të tyre ligjore mbështetjen e nevojshme për një mbrojtje profesionale dhe efektive”, tha Shefja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu në fjalën e saj në Kuvend.
Po aq i domosdoshëm, theksoi ajo, është koordinimi ndërkombëtar. “Një çështje që lidhet me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe me marrëdhëniet me aleatët tanë kërkon konsultim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë”.
Veprimet e një anshme pa këtë koordinim, sipas saj, dhe vlerësim të qartë të pasojave juridike “rrezikojnë ta dobësojnë besueshmërinë e Kosovës dhe mbështetjen ndërkombëtare që i nevojitet vendit tonë”.
Në të njëjtën kohë, ajo tha se populli i Kosovës që ka përjetuar sakrifica dhe padrejtësi të rënda “duhet të mbetet i përkushtuar ndaj drejtësisë për viktimat”.
Për këto arsye, theksoi ajo, “Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të bëhet pjesë e kësaj nisme”.
Ligji për Specialen u iniciua nga PDK-ja, pasi që Specialja dënoi më 16 shtator ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim.
Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet, Jakup Krasniqi me 25, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.