Komuniteti shqiptar në Teksas, të hënën në orën 13:00, sipas kohës lokale, do të zhvillojë një protestë në Austin kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.
Komuniteti shqiptar në Teksas, të hënën në orën 13:00, sipas kohës lokale, do të zhvillojë një protestë në Austin kundër aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protesta synon të shprehë kundërshtimin e komunitetit shqiptar në SHBA ndaj vendimit të gjykatës dhe të përcjellë një mesazh në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe luftës së saj për çlirimin e Kosovës.
Kjo protestë në Teksas vjen në kuadër të një vale tubimesh të komuniteteve shqiptare në diasporë, të cilat janë zhvilluar dhe po zhvillohen në vende të ndryshme pas shpalljes së aktgjykimit në Hagë.
Protesta të ngjashme janë mbajtur në disa qytete jashtë Kosovës, ndërsa tubime të komuniteteve shqiptare janë paralajmëruar edhe në ditët në vijim, me kërkesa për drejtësi dhe kundërshtim të vendimit të Dhomave të Specializuara.
Ndërkohë, çështja e aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka marrë vëmendje edhe në Shtetet e Bashkuara.
Kongresisti amerikan nga Teksasi, Keith Self, dy ditë para shpalljes së aktgjykimit, më 14 shtator, shprehu shqetësim për ndikimin e mundshëm të “anshmërisë politike” në vendimmarrjen e institucioneve të drejtësisë në Hagë.
“Një temë e vazhdueshme që duket se po del nga Haga është lejimi i anshmërisë politike që të ndikojë në vendimet e saj. Shpresoj që një anshmëri e tillë të mos shfaqet këtë javë, kur të jepet vendimi në gjyqin e Hashim Thaçit dhe tre civilëve shqiptarë që luftuan për pavarësi pas viteve të shtypjes serbe”, kishte shkruar Self në X.
Protesta e së hënës do të mbahet në Austin, ku komuniteti shqiptar pritet të përcjellë mesazhin e tij lidhur me aktgjykimin e Hagës dhe mbështetjen për ish-krerët e UÇK-së.