Protestë në Mitrovicë: Të gjithë për një dhe një për të gjithë për çlirimtarët

Protestë në Mitrovicë: Të gjithë për një dhe një për të gjithë për çlirimtarët

Edhe në Mitrovicë është mbajtur protestë kundër aktgjykimit dënues të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe në mbështetje të UÇK-së.

Protesta u organizua nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ndërsa pjesëmarrës në të ishin veteranë, qytetarë, studentë, familjarë të dëshmorëve dhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë.

Kryetari i OVL-UÇK-së në Mitrovicë, Rafet Ibishim, shprehu zhgënjimin e tij me aktgjykimin e dhënë në Hagë.Advertisement

“Sot po presim që të marrë pjesë një numër më i madh i pjesëmarrësve në këtë protestë. Edhe ne si qytet, si e gjithë Kosova, jemi të dëshpëruar nga gjykata e Dhomave të Specializuara që morën një vendim të padrejtë”, tha Ibishim.

Në protestë ishte i pranishëm edhe hoxha nga Mitrovica dhe ish-luftëtari i UÇK-së, Fatmir Latifi. Ai e cilësoi aktgjykimin ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së si vendim politik dhe shprehu shpresën se ata do të lirohen përmes rrugëve ligjore.Advertisement

“Neve shqiptarëve nuk na veniten shpresat. Shpresën e kemi në Zot, pastaj duhet shteti të këndellet edhe të bëhemi tok së bashku, të vazhdohet me rrugët ligjore dhe juridike, në mënyrë që të na kthehen heronjtë tanë”, tha Latifi.

Ai shtoi se kishte marrë pjesë në protestë së bashku me besimtarët e tij, me qëllim që të përcillte mesazhin për unitet.

“Këtu kam dalë të demonstroj bashkë me xhematin tim, si dhe me këtë shqiptari, për t’iu bërë me dije të gjithë njerëzimit se ne jemi bashkë: të gjithë për një dhe një për të gjithë”, u shpreh Latifi.

Në protestën e Mitrovicës morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Isa Boletini”. Njomza Gashi tha se studentët nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve në Hagë.

“Përballë asaj që sot padrejtësisht po mbahet në Hagë, ne nuk mund të rrimë indiferentë. Sepse kjo nuk është vetëm çështje e disa njerëzve. Është një plagë që prek kujtesën dhe historinë e një populli. Është një çështje që prek familjet, luftëtarët, të mbijetuarit, të zhdukurit, nënat, baballarët dhe çdo qytetar që e di se çfarë ka kaluar Kosova”, tha Gashi.

Ajo bëri thirrje për drejtësi për ish-luftëtarët e UÇK-së.

“Sot, nga zemra e Mitrovicës, dua të them diçka shumë të thjeshtë: ne kërkojmë drejtësi për çlirimtarët tanë. Jo privilegj, jo hakmarrje, jo urrejtje”, u shpreh Gashi.

Në protestë foli edhe Elxhonije Hajrizi, vajza e dëshmorit Afrim Hajrizi. Ajo tha se UÇK-ja për të dhe familjet e dëshmorëve përfaqëson një amanet.

“Nga ky shesh dhe në emër të të gjithë fëmijëve të dëshmorëve të Kosovës, u themi atyre në Hagë dhe mbarë botës se UÇK-ja është amanet. Babai im nuk u kthye nga lufta. Ai mbeti atje bashkë me shumë burra e gra të tjerë që sot nuk kanë më mundësi të flasin për veten”, tha Hajrizi.

Ajo tregoi se është rritur me krenarinë për sakrificën e babait të saj dhe të luftëtarëve të tjerë të UÇK-së.

“U rrita me një krenari që nuk mund të ma marrë askush. Krenarinë që babai dhe shumë luftëtarë të tjerë dhanë jetën për lirinë e vendit të tij”, deklaroi ajo.

Hajrizi tha se e ka përjetuar me dhimbje aktgjykimin ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së dhe se kundërshton procesin juridik ndaj tyre.

“Sot më dhemb kur shoh se katër njerëzit, katër luftëtarët tanë, njerëzit që përfaqësuan UÇK-në, ndodhen në Hagë. Unë jam këtu sot para të gjithë juve për të kundërshtuar një proces juridik. Jam këtu për të thënë se pas këtyre katër emrave janë familje që po e përjetojnë këtë situatë me dhimbje”, tha ajo.

“Lufta e UÇK-së është e shenjtë. Mos e humbni nderin dhe respektin për ata që dhanë jetën për këtë liri. Lufta e tyre ka qenë dhe mbetet luftë për liri, për dinjitet të popullit tonë”, shtoi Hajrizi.

Protesta në Mitrovicë u mbajt në kuadër të tubimeve të organizuara nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në qytete të ndryshme të Kosovës, pas aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë. /Kp/

Leave a comment