“Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi. Fatkeqësisht, Gjykata e dha vendimin e vet dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen”, ka thënë ai.

Gjenerali i NATO-s, Wesley Clark, ka deklaruar se ndihet i shokuar nga vendimi i Gjykatës së Hagës, e cila dënoi me gjithsej 81 vjet burgim katër ish-krerët e UÇK-së.
Clark ishte dëshmitar i mbrojtjes në këtë proces.
Në emisionin “Off the Record” në A2 CNN, Clark tha se gjatë procesit nuk kishte parë asnjë dëshmi që, sipas tij, do të justifikonte aktgjykimin.
“Jam i shokuar dhe i zemëruar. Unë e njoh Thaçin dhe shokët e tij, si dhe të gjithë ata që kanë bërë luftën. Kam dëshmuar në gjyq, kam thënë se çfarë kam parë dhe e dija se çfarë po ndodhte në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin tonë me UÇK-në. Nuk kam parë asnjë dëshmi që të justifikojë këtë lloj vendimi. Fatkeqësisht, Gjykata e dha vendimin e vet dhe kjo do të jetë një rrugë e vështirë në të ardhmen”, ka thënë ai.
Gjenerali pohoi se lufta e UÇK-së ishte një luftë e drejtë, një rebelim kundër një regjimi autoritar.
“Me aq sa di, këto dëshmi sekrete, për të cilat as mua nuk më treguan asnjë provë nga prokuroria, nuk do të më bënin që të ndryshoja mendimin tim. Jam takuar tri herë me Hashim Thaçin gjatë konfliktit dhe në Rambuje. Sigurisht, e takova edhe kur isha në Kosovë, por UÇK-ja dhe ajo që po ndodhte atje ishte një rebelim kundër një regjimi autoritar, por edhe kundër shumë krimeve individuale të kryera nga serbë individualë ndaj fqinjëve të tyre shqiptarë”, ka thënë ai.
“Dhe, siç e kam shpjeguar edhe në gjykatë, edhe sot kishte shumë emocion te njerëzit që kishin njohur njëri-tjetrin. Shqiptarët u ndien të tradhtuar nga fqinjët e tyre serbë, me të cilët kishin jetuar së bashku për një jetë. Sigurisht, ishin ndjesi të forta. Dhe këtë mendova se Hashim Thaçi e bëri një punë të shkëlqyer për të ruajtur edhe popullatën e pafajshme serbe, si dhe ata që ishin përtej lumit Ibër, ku shqiptarët ishin shtyrë më poshtë. Pra, kam pasur shqetësime për atë që mund të ndodhte më tej, por nuk mund të thosha se Thaçi ishte dikush që duhej të dënohej për krime lufte”, është shprehur ai.