Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka kërkuar që në hyrje institucionet arsimore publike të kryeqytetit të vendosin flamurin e UÇK-së.

Flamuri i UÇK-së
Drejtoria e Arsimit në Prishtinë ka kërkuar nga të gjitha institucionet arsimore publike në kryeqytet që krahas flamurit të Kosovës në hyrjen kryesore të vendosin edhe flamurin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Kjo kërkesë vjen pasi që Gjykata Speciale dënoi krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Institucionet arsimore nuk janë vetëm hapësira ku nxënësit marrin dije, por edhe vende ku formohet kujtesa historike dhe qytetare e brezave të rinj. Për këtë arsye, është e rëndësishme që në hapësirat tona shkollore të pasqyrohet edhe historia e rrugëtimit të Kosovës drejt lirisë”, thuhet në kërkesën zyrtare të kësaj drejtorie.
Liria që gëzojmë sot, thuhet aty, ka një histori. “Dhe ajo histori duhet të kujtohet, të respektohet dhe t’u përcillet brezave që vijnë”.
Në këtë drejtim, kërkojnë nga drejtuesit e institucioneve arsimore që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për vendosjen e flamurit të UÇK-së në hyrjen kryesore të shkollës, krahas flamurit të Kosovës, duke respektuar rregullat përkatëse institucionale dhe protokollare.
“Kërkojmë që zbatimi i kësaj kërkese të bëhet në mënyrë dinjitoze dhe të njëtrajtshme në të gjitha institucionet arsimore publike të Kryeqytetit”.
Aty theksohet se UÇK-ja është pjesë e pandashme e historisë së çlirimit të Kosovës.
“Lufta dhe sakrifica e saj për lirinë e vendit përbëjnë një kapitull të rëndësishëm të historisë sonë të re dhe janë pjesë e kujtesës kolektive të shoqërisë sonë”.