John Stewart Duncan, ish-diplomati britanik dhe ish-këshilltari politik i gjeneralit Wesley Clark, ka reaguar pas aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe bashkëakuzuarve të tij në Hagë.
Duncan, i cili dëshmoi në procesin gjyqësor në mbrojtje të Thaçit, ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar nga gjykata dëshmia lidhur me strukturën organizative dhe zinxhirin komandues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në reagimin e tij, Duncan shkruan:
“Michael, pesë ish-zyrtarë të lartë, përfshirë mua, të cilët kanë punuar me Thaçin para dhe gjatë konfliktit, dëshmuan se UÇK-ja nuk posedonte llojin e strukturës organizative që pretendojnë Prokuroria dhe tani gjyqtarët. Të shpërfillësh këtë dëshmi është një mangësi serioze në aktgjykim.”
Duncan ishte një nga dëshmitarët e mbrojtjes së Thaçit në procesin para Dhomave të Specializuara të Kosovës. Gjatë dëshmisë së tij në shtator të vitit 2025, ai deklaroi se, nga përvoja e tij gjatë luftës, UÇK-ja nuk funksiononte si një ushtri e rregullt me një strukturë të qartë hierarkike. Ai tha gjithashtu se pushteti në krahun ushtarak ishte i ndarë mes Agim Çekut dhe komandantëve të zonave operative.
Duncan kishte shërbyer si këshilltar politik i gjeneralit Wesley Clark, atëherë komandant suprem i forcave aleate të NATO-s, dhe gjatë dëshmisë shpjegoi se detyra e tij ishte të analizonte zhvillimet politike dhe diplomatike dhe ta informonte Clarkun për situatën në Kosovë.