Në nderim dhe festim të tetëmbëdhjetë viteve shtet u mblodhën mbarë spektri politik dhe kombëtar në seancë solemne në Dhomën e Përfaqësuesve të Popullit: në atë godinë ku u shpallë mëvetësia shtetërore më 17 shkurt, 2008. Në foltoren e Kuvendit të Kosovës u ngjitën tre shkronjat e luftës çlirimtare: UÇK. Pashmangshëm, prej Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmnai, te Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e te Presidenti i Shqipërisë, u fol për drejtuesit e UÇK-së që kanë hyrë në përmbyllje të procesit gjyqësor në Hagë, për çka Prokuroria e Specializuar ka kërkuar gatise dy shekuj burgim për të katërit marrë së bashku.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se është “i shqetësuar” me akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, duke i cilësuar ato “të papranueshme dhe të paqëndrueshme”.
Ai kundërshtoi çdo barazim mes aparatit shtetëror të Slobodan Millosheviqit dhe drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Ne përkulemi me nderim para dëshmorëve. Brengosemi që krerët e UÇK-së po akuzohen padrejtësisht sepse ata guxuan të marrin armët për liri dhe kundër regjimit gjenocidal të Millosheviqit”, tha Kurti.
Kurti në fjalimin e tij tha se akuzat “nuk qëndrojnë” ngase e heqin luftën nga konteksti historik. “Krime kundër njerëzimit ndaj shqiptarëve ka bërë Millosheviqi. Barazimi mes krerëve të UÇK-së është i papranueshëm për ne dhe i paqëndrueshëm”, shtoi ai.
Presidentja Vjosa Osmani e vendosi theksin te drejtësia e luftës çlirimtare. Ajo tha se drejtuesit në Hagë “u ngritën për liri, për dinjitet dhe për të drejtën e patjetërsueshme për të jetuar të lirë në atdheun e tyre”.
“Çdo përpjekje për të barazuar luftën tonë çlirimtare me krimet e regjimit gjenocidal të Serbisë jo vetëm që e minon drejtësinë, por dëmton rëndë edhe themelet e paqes afatgjate në rajonin tonë”, deklaroi Osmani.
Ajo e lidhi shtetin me figurat simbolike të historisë së afërt. “Në themelin e shtetit tonë qëndron vizioni i presidentit historik, Ibrahim Rugova. Historia e luftës mban emrin e komandantit Adem Jashari. UÇK-ja është ideali më i madh që kanë ndërtuar shqiptarët ndër shekuj”, tha ajo.
Nga Tirana, Presidenti Bajram Begaj e quajti procesin në Hagë një provë për kujtesën historike.
“Historia e Republikës së Kosovës nuk mund të kuptohet dhe as të shkruhet pa emrat e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit dhe bashkëluftëtarëve të tyre”, tha Begaj.
“Ata dje e udhëhoqën popullin drejt lirisë, sot janë me akuza të montuara në gjykata. E vërteta nuk mund të tjetërsohet dhe historia nuk mund të rishkruhet”, shtoi ai.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, foli për rrezikun e “drejtësisë selektive”.
“Lufta jonë po gjykohet. Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi po gjykohen dhe sot duhet ta themi qartë. Ne nuk pranojmë barazi artificiale mes agresorit serb dhe rezistencës sonë për liri”, deklaroi ai.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cilësoi Gjykatën Speciale “të papranueshme për popullin e Kosovës”.
“UÇK-ja ishte ushtria mbrojtëse e një populli që kërkonte të jetonte i lirë në vendin e vet. Çdo përpjekje për ta shkëputur këtë luftë nga konteksti i saj historik rrezikon të shtrembërojë të vërtetën”, tha ajo.
demokracia.com