Trumpi zotohet ta shkarkojë Jack Smith, prokurorin që ngriti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Trumpi zotohet ta shkarkojë Jack Smith, prokurorin që ngriti aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Donald Trump tha të enjten se nëse ai fiton Shtëpinë e Bardhë, ai do të shkarkojë prokurorin special Jack Smith “brenda dy sekondave” nga marrja e detyrës.

“Është kaq e lehtë. Do ta pushoja brenda dy sekondave”, u përgjigj Trump, raporton AP, transmeton Gazeta 10.

Siç ka thënë Trump, ky do të jetë ndër vendimet e para si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, derisa e ka cilësuar prokurorin special si person “të poshtër”.

“Ai do të jetë një nga veprimet e para që do të ndërmarr”, ka thënë tutje Trump.

Kujtojmë se Smith ka ngritur dy raste federale kundër Trump. Njëri, duke e akuzuar atë për mbajtjen e paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, tjetri, duke e akuzuar atë për përpjekjet e tij në përmbysjen e procesit zgjedhor të 2020-s.

Jack Smith ka mbajtur postin edhe të kryeprokurorit të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) në Hagë, ku po gjykohet ish-presidenti Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.

Nëntorin e 2022-s, Smith u largua nga Haga, për t’u kthyer në Shtetet e Bashkuara me qëllim që ta hetojë Trumpin.

Ai është fokusuar në hetimin e dokumenteve të klasifikuara të gjetura në shtëpinë e Trumpit dhe për rolin e ish-presidentit në sulmin ndaj Capitolit. /Gazeta 10/ 

Leave a comment